Shehaj: Policët e Komisariatit nr.1 e dhunuan Enean, 23-vjeçarin që denoncoi dhunën e policisë
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, deklaroi se policët e Komisariatit nr.1 e dhunuan Enean, një 23-vjeçar që denoncoi dhunën e policisë në zyrat e Komisariatit. Shehaj thotë se Enea po bëhet presion që të ndryshojë dëshminë e tij dhe se duhet të shkarkohen menjëherë nga detyra.

Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj ka denoncuar një tjetër detaj të rëndë që ka ndodhur me djalin e ri protestues, Enean, i cili sot, në oborrin e Parlamentit krah Shehajt dhe deputetit Erald Kapri bëri publike dhunën që kanë ushtruar ndaj tij në zyrat e Komisariatit Nr.1 në kryeqytet.
Shehaj deklaron se është paraqitur me urgjencë në ambientet e spitalit ku i riu shkoi për t’u mjekuar, pasi policë dhe përfaqësues nga Komisariati Nr.1 kishin larguar avokatin mbrojtës së të riut dhe thotë se po i bënin presion për të mos denoncuar me emra dhunuesit.
“Erdha me urgjencë në Spital sepse më njoftuan se ndaj Eneas, të riut që denoncoi dhunën e policisë krah meje në Kuvend, po ushtrohej presion në mënyrë që ai të ndryshonte dëshminë. E paimagjinueshme! Ky është një skandal i vërtetë. E rrahin, pastaj e marrin zvarrë nga shtrati ku priste të mjekohej dhe e sjellin këtu në një dhomë duke dhunuar avokatin, duke e larguar për ta detyruar që të ndryshojë dëshminë. Nuk ka asnjë shans që kjo të ndodhë” , shprehet Shehaj në videon e postuar në rrjetet sociale.
Enea, i riu protestues denoncoi sot se personat që e dhunuan në zyrat e shefit të Komisariatit Nr.1 ishin Roki Pepa dhe Ervin Hasrama.
Për ta, Shehaj thekson se duhet të shkarkohen menjëherë nga detyra, ndërsa kërkon gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si urdhëruesin e policisë që të frikësojë të rinjtë që të mos dalin më në protestë.
“Ata dy banditë që kanë dhunuar këtë djalin e ri, do të dalin përpara drejtësisë. Duhet të shkarkohen menjëherë. Dhe kryeministri që ka vjedhur shqiptarët që po përdor tani policinë për të trembur, për të trembur protestuesit e dhunuar duhet të largohet. Do largohet me turp”, thekson Shehaj.