Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Përkujtohet Kongresi Historik i Manastirit
Sot, më 22 nëntor, shqiptarët po përkujtojnë Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një ngjarje e rëndësishme në historinë kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve.

Sot, më 22 nëntor, shqiptarët po përkujtojnë Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një ngjarje e rëndësishme në historinë kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve. Kjo ditë përfaqëson momentin e unifikimit kulturor të shqiptarëve dhe Kongresin e Manastirit, mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor 1908.
Në këtë kongres morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete dhe shoqata të ndryshme të shqiptarëve, si dhe 18 vëzhgues. Delegatët përfaqësonin klube patriotike dhe intelektuale nga të gjitha trojet shqiptare. Kryetar i Kongresit ishte Mit’hat Frashëri, ndërsa nënkryetarë u zgjodhën Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qiriazi.
Pas disa ditësh diskutimesh dhe analizash, Kongresi vendosi që alfabeti latin të përshtatej për gjuhën shqipe, duke bërë disa ndryshime për të reflektuar veçoritë fonetike të saj. Ky vendim ishte një akt thelbësor për të përjashtuar përdorimin e alfabeteve të tjera, si ai grek, arab dhe cirilik, që përdorej më parë në zona të ndryshme.
Në këtë ditë të shënuar, kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video me fotografi të shkëputura nga ajo kohë, të cilën e shoqëron me një poezi në gjuhën shqipe kushtuar alfabetit. Kryeministri Rama shkruan krahas videos se në hijeshinë e gërmave të gjuhës shqipe jeton kujtesa e kombit shqiptar.
Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe u shpall festë zyrtare në Shqipëri në vitin 2023 dhe për herë të parë u kremtua si një festë kombëtare atë vit. Kjo ditë festohet gjithashtu në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, duke reflektuar rëndësinë e saj për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen.