Skandal në Greqi, dy kompani të njohura nën hetim për evazion fiskal miliona eurosh
Dy skandale të mëdha evazioni fiskal kanë zbuluar autoritetet greke, duke përfshirë dy rrjete të njohura me xhiro miliona eurosh.

Dy skandale të mëdha evazioni fiskal, që përfshijnë dy rrjete të njohura me xhiro miliona eurosh, kanë zbuluar autoritetet greke brenda pak ditësh. Bëhet fjalë për furrat e bukës “Horiatiko” dhe piceritë “Pizza Fan”, drejtuesit e të cilave dyshohen se nuk i paguanin shtetit TVSH-në që ua merrnin klientëve.
Në njërin rast përdornin kompani me administratorë fiktivë, ndërsa në tjetrin, shitjet e paguara regjistroheshin si produkte të dhëna falas. Sipas televizionit publik grek, ERT, numri i të arrestuarve ka kaluar mbi 50 persona, ndërsa kontrollet shtrihen në qindra biznese.
Sipas hetimeve, në krye të këtyre kompanive të vogla vendoseshin persona që figuronin si administratorë, pa qenë drejtuesit e vërtetë. Bizneset punonin, shisnin dhe grumbullonin borxhe nga taksat e sigurimet shoqërore. Më pas, këto kompani liheshin me detyrimet e papaguara dhe aktiviteti vazhdonte përmes kompanive të reja.
Vlerësimet paraprake flasin për rreth 100 milionë euro dëm dhe detyrime të papaguara. Kjo shumë përfshin edhe sigurimet shoqërore dhe biznese të tjera të pronarit, përtej rrjetit të furrave.
Ndryshe ishte mekanizmi që dyshohet se përdorej te “Pizza Fan”, ku dëmi fillestar nga TVSH-ja e papaguar llogaritej në të paktën 25 milionë euro. Klienti porosiste picën dhe e paguante me para në dorë. Por, në vend që pagesa të regjistrohej si shitje, një program kompjuterik lejonte që porosia të shënohej si “qerasje”. Pra, pica ishte paguar, por për tatimet dukej sikur ishte dhënë falas. Shitja nuk deklarohej dhe TVSH-ja që përmbante çmimi nuk derdhej në shtet.
Hetimet vazhdojnë dhe në njërën dosje, autoritetet ndjekin gjurmët e borxheve që mbeteshin te kompanitë në letra. Në tjetrën, gjurmët e shitjeve që zhdukeshin në kompjuter. Ndërkohë, ndërprerja e shërbimit tek Pizza Fan ka krijuar pasiguri për mbi 2.500 punonjësit e rrjetit. Kompania thotë se kërkon të rikthejë sa më shpejt funksionimin e dyqaneve dhe të mbrojë vendet e punës.