Buxheti 2027: Si do të zbatohet harta e re territoriale?
Ministria e Financave ka shpallur se fondet e parashikuara për bashkitë që do të shkrihen do të përthithen nga bashkitë pritëse, të cilat do të marrin përgjegjësinë për ofrimin e shërbimeve publike në një territor më të gjerë.

Ndarja e fondeve për pushtetin vendor në pr.buxhetin 2027 do të bëhet mbi bazën e hartës aktuale me 61 bashki, pavarësisht reformës territoriale që parashikon shkrirjen e 15 prej tyre. Ky proces do të nisë nga muaji shtator e në vijim, pas përfundimit të fazës së dytë të reformës territoriale, e cila është aktualisht në proces në Kuvend. Fondi total i parashikuar për 61 bashkitë në vend është parashikuar rreth 48.26 miliardë lekë. 15 bashkitë që do të shkrihen përfitojnë së bashku rreth 5.95 miliardë lekë nga fondet e parashikuara për pushtetin vendor në vitin 2027. Nga 15 bashkitë që do të shkrihen, Maliqi rezulton njësia me financimin më të lartë për vitin 2027, me rreth 797 milionë lekë. Kjo bashki, që do të bëhet pjesë e Bashkisë Korçë, përfiton rreth 458 milionë lekë nga transferta e përgjithshme, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga transfertat sektoriale. Në vendin e dytë renditet Divjaka, e cila do t’i bashkohet Lushnjës, me rreth 575 milionë lekë. Pas saj vjen Përrenjasi, që do të integrohet në Bashkinë Librazhd, me rreth 486 milionë lekë. Financime të konsiderueshme janë parashikuar edhe për Cërrikun, me 452 milionë lekë, Selenicën me 429 milionë lekë, Dimalin me 429 milionë lekë dhe Patosin me 417 milionë lekë. Në anën tjetër, Libohova rezulton bashkia me financimin më të ulët ndër 15 njësitë që do të shkrihen, me rreth 138 milionë lekë. Ajo ndiqet nga Këlcyra, me 219 milionë lekë, dhe Poliçani, me 288 milionë lekë. Reforma e re administrativo-territoriale u miratua nga Kuvendi më 9 tetor 2026, me 85 vota pro, duke e ulur numrin e bashkive nga 61 në 46. Faza e dytë e reformës pritet të përcaktojë më tej mënyrën e funksionimit, financimit dhe organizimit të shërbimeve në strukturën e re të pushtetit vendor.