Çfarë ndodh kur një njeri që nuk ka parë babanë prej vitesh hedh një gur drejt një njeriut që ndoshta nuk ka parë fëmijën e tij prej muajsh?
Gazetarja shpesh ka parë protestues që hedhin gurë drejt policisë, por çfarë ndodh kur një njeri që nuk ka parë babanë prej vitesh hedh një gur drejt një njeriut që ndoshta nuk ka parë fëmijën e tij prej muajsh?

Kam parë një protestues të maskuar që hidhte gurë. Mendova se ishte djalë. "Jam vajzë. Gjyshërit i kam të paralizuar. Ndihma që u jep shteti nuk u mjafton as për ilaçet." Kam parë një 27-vjeçar të kthyer nga Anglia. "Ika me kamion. Pagova 8 miliona paund. Asnjë shok i rinisë nuk më ka mbetur në Shqipëri." Kam parë një djalë me leucemi. "Jetën ia kam borxh Italisë. Po të ishte për Shqipërinë, mbi varrin tim do të kishin mbirë lule." Kam parë studentë mjekësia që fshihnin fytyrat. Nuk duan të largohen nga Shqipëria, por nuk shohin të ardhmen këtu. Kam parë fëmijë që prindërit u kërkonin të mos protestonin. Sepse kishin frikë. Frika që dikur ua kishte mësuar atyre, tani po u trashëgohej fëmijëve. Por kam parë edhe anët tjetër të gurit. Kam parë policë që lotojnë. Policë që kanë fëmijë në emigrim. Që kanë prindër me pension të vogël. Që përballen me të njëjtat çmime, të njëjtat spitale, të njëjtat halle. Çfarë ndodh kur një njeri që nuk ka parë babanë prej vitesh hedh një gur drejt një njeriut që ndoshta nuk ka parë fëmijën e tij prej muajsh? Njeri ka një gur në dorë. Tjetri ka një mburojë, plumba gome, shkopin e gome. Por në fund të ditës, të dy kthehen te të njëjtat probleme. Dhe ndërsa ata përplasen në rrugë, ka të tjerët që e ndjekin përplasjen nga ekranet. Nuk u bie gazi në sy. Nuk u bien gurët mbi trup. Nuk u mungojnë ilaçet në spitale. Janë ata që qeverisin. Pushtetarët, të korruptuarit. Ata që duhet të japin llogari për korrupsionin, për paratë publike, për spitale, për varfërinë, për të ardhmen e këtij vendi. Por ata nuk duan ta bëjnë. As përfaqësia të mbajnë. Dhe paratë e shqiptarëve shkojnë për spektakle, për Kanye West, për Kopshtin Eden, për gaz lotsjellës dhe plumba gome. Nuk gjenden për ata që kanë nevojë, për fëmijët jetimë, për ata me aftësi ndryshe, për gjyshërit tanë pensionistë, për fermerët. Korrupsioni është bërë institucionin më i madh i këtij vendi. Pa adresë. Pa ndërtesë. Pa tabelë. Por me dyer që hapen më lehtë se çdo derë e këtij shteti. Këta të rinj janë rritur duke njohur pothuajse vetëm Edi Rama si kryeministër. Janë rinia e qeverisë së tij. Dhe sot, zemërimi i studentëve përfshihet me dhunën shumëvjeçare që politika ka ushtruar ndaj tyre. Por unë kam parë edhe diçka tjetër. Kam parë një brez që nuk pranon të trashëgojë frikën e prindërit. Një brez që nuk kërkon të largohet, por të qëndrojë. Që nuk kërkon favore, por të drejtën. Që nuk kërkon një Shqipëri vetëm për vete, por për të gjithë. Edhe për policin që sot ka përballe. Sepse ai 17-vjeçari nuk duhet të kërkojë babanë në Gjermani. Ajo vajza nuk duhet të zgjedhë mes bukës dhe ilaçeve të gjyshërit. Ai djalë me leucemi nuk duhet të ketë borxh jetën një shteti tjetër. Dhe polici nuk duhet të jetë mburoja pas së cilës fshihen përgjegjësit e këtij realiteti. Unë nuk di se kur do të ndryshojë Shqipëria. Por di se asnjë vend nuk ndryshon duke i mësuar studentët të heshtin. Dhe në këto mbi 150 ditë, unë kam parë diçka që nuk e kisha parë më pare.